12 Prill, 2022 - 2:54 pm
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar në 100 ditëshin e qeverisjes disa të arritura të cilat thotë se janë duke ndodhur për transformimin e kryeqytetit.
Rama është shprehur se gjatë këtij njëqind ditëshi bashkë me ekipin e tij kanë marr përgjegjësi për drejtimin e Kryeqytetit, me qëllim që ta jetësojnë vizionin për transformimin e Prishtinës në përputhje me planin, projektet dhe konceptet që shpalosëm vjet gjatë fushatës parazgjedhore.
“Sot, mund të shpallim se shumë nga projektet e premtuara gjatë fushatës, i kemi vënë në binarët e duhur. Siç do ta shihni në Raportin e parë të punës, projekte nga të gjitha llojet e sektorëve: urbane, infrastrukturore, brendapërbrenda dhe rretheqark; shëndetësore, në këto kohë sfiduese; restauruese, në linjë me vizionin tonë për Prishtinën e përjetimeve; mjedisore, për hapësira të reja të gjelbëruara; bujqësore, për ujitjen e tokave të mbjella; zhvillim rural, rekreative, për më shumë ndërveprim sportiv. Këto të mësipërmet janë veç disa nga nismat e deritashme dhe të gjitha vetëm nga “ana e dukshme e medaljes””, është shprehur Rama.
Ai tutje ka treguar që gjatë këtyre muajve kanë punuar ngjeshur edhe që i gjithë kabineti të zotërojë njohje të mirëfilltë të legjislacionit në fuqi (primar e sekondar) në fushën e vetëqeverisjes lokale. Partneritetet e panumërta, që gjatë këtyre ditëve i zyrtarizuan me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, me ambasadorë të huaj, me ministra e titullarë të tjerë të pushtetit qëndror, si dhe akterë të tjerë ndërkombëtarë e vendorë, po i konkretizojnë, gjithmonë duke i gjetur pikëtakimet me palën ndërvepruese, pikërisht drejt vizionit transformues për Kryeqytetin e Prishtinës.
Sipas Ramës, ky është vetëm fillimi.
“E rëndësishmja është se jemi vënë, tashmë me hapa gjithnjë më të sigurt e më të shpejtë, në rrugë të mbarë”, shprehet kryetari.
Raportin e plotë të Komunës së Prishtinës mund ta gjeni KËTU./ KultPlus.com