25 Mars, 2025 - 3:59 pm
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fishtë, Lezhë, në vendlindjen e At Gjergj Fishtës, ku hapi dyert një qendër e re kulturore dhe rekreative që i dedikohet jo vetëm kujtesës, por edhe jetës së gjallë të shpirtit krijues.
Qendra e re kulturore dhe rekreative përfshin një hapësirë për programe rezidence artistike e letrare, ekspozita, sesione krijuese dhe aktivitete kulturore.
Kryeministri bëri të ditur se projekti nuk përfshin vetëm godinën por janë edhe 3 kilometra rrugë në një hapësirë rekreative që shkon te shtëpia ku ka jetuar Fishta.
Rama u takua po ashtu me familjarë të Fishtës dhe banorë të zonës me të cilët shkëmbeu batuta.
E ardhur nga Italia për këtë ceremoni, mbesa e Fishtës i shprehu kryeministrit mirënjohjen për realizimin e këtij projekti, i shumëpritur për familjarët dhe i premtuar për dekada, por që vetëm tani u realizua.
Qendra kulturore dhe rekreative përfshin hapësira të dedikuara për rezidenca artistike, sesione krijimtarie dhe ekspozime të artistëve vendas e të huaj. Ajo është e lidhur përmes një rruge këmbësore me shtëpinë ku ka jetuar At Gjergj Fishta, e cila është restauruar dhe është e hapur për vizitorët.
Investimi vjen pjesë e itinerarit Fishtian i cili përfshin vendet ku ka jetuar dhe shërbyer “At Gjergj Fishta dhe shërben si një ftesë për të zbuluar jetën dhe veprën e tij.
Projekti i Intenerarit Gjurmët Fishtiane përfshin restaurimin e Urës së Mesit, ndriçimin e Kalave të Durrësit dhe të Lezhës, muzealizimin e banesës ku Gjergj Fishta ka kaluar vitet e para te jetës si dhe ndërtimin e Hapësirës Memoriale ku besohet se ka lindur Gjergj Fishta në vendlindjen e tij.
Projekti i ri ka realizuar një godinë multifunksionale dhe një kullë muzeale në vendin ku thuhet se ka lindur Fishta. Godinat janë realizuar sipas projektit dhe aktualisht kanë përfunduar, së bashku me territorin e jashtëm. Godina e sheshtë multifunksionale është e mobiluar dhe synon të shërbejë si godinë për rezidencat letrare dhe organizime të ndryshme kulturore lidhur me librin dhe leximin./atsh/KultPlus.com