26 Maj, 2023 - 8:59 am
Në tunelin e Llogorasë vijojnë punimet dhe deri më tani janë janë betonuar përreth 2 kilometra.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga kantieri i Tunelit të Llogorasë i cili parashikohet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm.
Rama thekson se pas hapjes plotësisht në 6 kilometrat e tij, po punohet me ritëm të lartë për armatimin e plotë deri në përfundimin e kësaj vepre strategjike.
Zv.kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi dy ditë më parë punimet në këtë tunel që sipas saj, plotëson të gjitha parametrat e sigurisë rrugore sipas kritereve të Bashkimit Europian, duke e konsideruar si xhevahirin e kurorës së infrastrukturës së Shqipërisë.
Edhe punimet në tunelin e emergjencës kanë ecur me ritme të mira dhe deri tani janë hapur rreth 5 mijë metra dhe mbeten për t’u hapur edhe 400 m.
Aktualisht po punohet për betonimin dhe hidroizolimin në të dy krahët e tunelit, në atë të Palasës dhe në atë të Dhërmiut.
Tuneli ka 11 dalje emergjence dhe 6 vendpushime. Tuneli i emergjencës prej 5450 metra është pothuajse i hapur.
Balluku ka theksuar se me përfundimin e tunelit do të jenë të ndërlidhura të gjitha veprat infrastrukturore të jugut të Shqipërisë.
“Bajpasi i Vlorës do të ndërlidhet me rrugën e aeroportit të Vlorës, më pas me segmentin Orikum-Dukat. Ky segment lidhet me tunelin e Llogorasë, dhe në dalje, në Palasë, lidhet me segmentin Palasë-Dhërmi”, është shprehur ministrja. / atsh / KultPlus.com