24 Dhjetor, 2022 - 9:26 am
Kryeministri Edi Rama bën të ditur se për herë të parë në Ballkan, çelet salla multimediale me projeksion 360° në Korçë.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shprehet se salla e parë multimediale hapet me koleksionin e pikturave të Vangjush Mios, e para e llojit të saj në Shqipëri.
E para e llojit të saj në Shqipëri, kjo sallë është bërë e mundur me mbështetjen e Ministrisë së Inovacionit dhe Sipërmarrjes si një nga përfituesit në kategorinë lehtësues startup-esh.
Të rinjtë dhe jo vetëm, do të nxiten për të zhvilluar ide inovative të shkrira në Projeksionin 360°, si dhe do të krijojnë mundësi të panumërta për të ardhmen e tyre.
Korça i fton të gjithë që të përjetojnë një eksperiencë unike me inaugurimin ditën e sotme të sallës multimediale tek Qendrën e re të Artit, Kulturës dhe Inovacionit pranë Katedrales në Korçë.
Për herë të parë, qytetarët do të mund të shohin pikturat e koleksionit personal të piktorit Vangjush Mio në projeksionin 360 gradë.
Gjatë karrierës 40-vjeçare, Vangjush Mio realizoi mbi 400 vizatime dhe 130 piktura.
Rreth 60 punime të tij zënë vend në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e së bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë-muze të tij. /atsh /KultPlus.com