11 Gusht, 2023 - 5:10 pm
“Paketat e turizmit kulturor gjatë kësaj fundjavë janë të mbushura plot me evente që do t’ju bëjnë të shijoni Shqipërinë nga veriu në jug mes traditës, kulinarisë, sportit e muzikës”.
Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau në rrjetet sociale kalendarin e aktiviteteve kryesore kulturore në vend.
Për pushuesit që vendosin të rrugëtojnë drejt Alpeve të bukura shqiptare, Logu i Bjeshkëve shpalos vlerat e pasura të traditës në Kelmend të Malësisë së Madhe me këngë e valle, në Polenë të Korçës i pret shija e mirë e lakrorit e në Përmet i mikpresin gjyshet e ëmbla nga e gjithë Shqipëria.
“Dhoskati e Libohova do t’ju bëjnë të përjetoni festivalet e traditës, në Delvinë ekspozohet panairi i qytetit; nga shëtitorja e Durrësit do të vijnë tingujt e Festivalit të folkut dhe mbrëmje fantastike do të përjetoni në Kalanë e Ali Pashës në netët e fundit të Festivalit të Porto Palermos por paharruar emocionet e ndeshjes miqësore Partizani – Roma në kryeqytet”, shtoi Rama.
Po ashtu me sugjerimet e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, aplikacioni TEA jep mundësinë e zgjedhjes së eventeve kulturore e festive që do të zbukurojnë ditët e verës nëpër destinacionet turistike të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com