5 Maj, 2022 - 3:50 pm
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria do të kontribuojë me 1 milion euro për Ukrainën.
Në fjalën e tij në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën në Varshavë, Poloni, Rama tha se “e di se kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës dhe të rindërtimit, por ne jemi shumë të nderuar që jemi këtu dhe u jam shumë mirënjohës kryeministrave të Polonisë dhe Suedisë që na bënë pjesë të saj”.
“Ne do të bëjmë më të mirën që mundemi për t’iu përmbajtur detyrimit që kemi ndaj miqve tanë ukrainas dhe popullit të Ukrainës. Ne synojmë atë që duan të gjithë këtu, fundin e kësaj lufte dhe paqe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “Shqipëria është vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Atje ne jemi bashkëpenëmbajtës me SHBA-në për Ukrainën. Dhe në koordinim edhe me vendet e tjera që mendojnë njësoj si ne, po japim kontributin tonë duke iniciuar mbledhje dhe hartuar dokumente lidhur me luftën dhe në mbështetje të plotë për Ukrainën”.
Nga ana tjetër, vijoi Rama, në planin bilateral, ne kemi qenë mes të parëve që kemi dhënë kontributin tonë me municione për ushtrinë ukrainase.
“Ndërkohë, ne kemi miratuar të gjithë kornizën ligjore që lejon çdo qytetar ukrainas të vijë në vendin tonë për një periudhë kohë aq sa është e nevojshme, apo dëshiron”, tha Kryeministri Rama.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, ku është pjesëmarrës në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën, e bashkorganizuar nga kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki dhe kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, në partneritet me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Konferenca, me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive i dedikohet qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta./ atsh / KultPlus.com