27 Gusht, 2023 - 11:31 pm
Shqipëria me bukuritë e saj natyrore dhe historike po tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj, si dhe vëmendjen e medieve botërore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video me pamje nga veriu në jug të vendit, ku thuhet se “kjo nuk është Zvicra, as ndonjë vend tjetër. Kjo është Shqipëria jonë e bukur”.
“Shqipëria e bukur turistike”, shkruan Rama.
Vetëm gjatë këtij sezonit turistik veror, nga majii deri në fund të korrikut numërohen 3 482 836 shtetas të huaj që vizituan vendin tonë.
Autoritetet në vend kanë deklaruar se numri i pushuesve që kanë zgjedhur Shqipërinë këtë vit, si destinacion ka kaluar pritshmëritë, ndërsa një raport i Organizatës Botërore të Turizmit e renditi vendin tonë të parin në Europë për 3 muajt e parë të këtij viti për rritjen e numrit të turistëve. Ndërsa në botë, vendi ynë renditet në vendin e tretë pas Katarit dhe Arabisë Saudite.
Jo vetëm bregdeti, por edhe Tirana dhe Alpet janë destinacionet e preferuara.
Në total, mbi 5.2 milionë të huaj vizituan Shqipërinë nga janari deri në fund të korrikut.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.
Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor./atsh/KultPlus.com