4 Mars, 2025 - 1:05 pm
Shqipëria turistike i flet botës nga Berlini, me krenarinë e vendit të nderit në panairin më të madh botëror të turizmit ITB Berlin.
Shqipëria si vendi i nderit i ITB Berlin 2025 prezanton evente, diskutime dhe përvoja gjithëpërfshirëse nën sloganin “Albania All Senses” në panairin që nis të martën e 4 marsit dhe përfundon të enjten, më 6 mars.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ceremonia e hapjes së këtij panairi.
Në një prononcim për televizionin gjerman ZDF Rama u shpreh se, “është e mahnitshme. Ne jemi këtu në një pozicion që disa vite më parë do të ishte e paimagjinueshme”.
Pas fjalimeve në ceremoninë e hapjes në CityCube Berlin u prezantua një vitrinë magjepsëse e pasurive kulturore të vendit tonë nën sloganin “Albania All Senses”.
Elementet kryesorë të prezantimit të Shqipërisë përfshinë një udhëtim kinematografik nëpër Shqipëri, performanca e drejtpërdrejtë me “Shkodra Elektronike” – përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision 2025 –, muzikë tradicionale të njohur nga UNESCO dhe performanca të vallëzimeve tradicionale shqiptare nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve.
Shqipëria prezanton trashëgiminë e saj të pasur natyrore e kulturore në tri ditët e këtij panairi global të turizmit dhe ceremoninë e hapjes më 3 mars.
Nën sloganin “Albania All Senses”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të prezantojë buqetën e ofertave turistike të vendit nga data 4 deri më 6 mars 2025.
Përmes një agjende të pasur, Shqipëria do të përpiqet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e këtij panairi që t’i bashkohen një udhëtimi gjithëpërfshirës përmes larmisë së ofertave, një programi të zgjeruar eventesh, performancash dhe aktivitetesh./atsh/KultPlus.com