16 Janar, 2025 - 8:33 pm
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ish-Shtëpia e Pritjes në Gjirokastër do të kthehet në një shtëpi të dedikuar për shkrimtarët.
“Ne jemi duke punuar një tjetër projekt që do jetë një projekt për shkrimtarët, pra një shtëpi shkrimtarësh. Në Gjirokastër, në ish-Shtëpinë e Pritjes, ku shkonte edhe i zoti i atëhershëm i kësaj shtëpie, do bëjmë një shtëpi që do të jetë e dedikuar për shkrimtarët”, tha Rama, në ceremoninë e hapjes së rezidencës artistike europiane “Vila 31 X Art Explora”, në Tiranë.
Duke qenë se është edhe qyteti i Ismail Kadaresë, duke qenë se edhe Ismail Kadareja nuk është më, por është një nga brandet më të rëndësishme të Shqipërisë, Rama tha se do të jetë “Shtëpia Kadare” që do të presë shkrimtarë.
“Jemi duke punuar me projektin, bashkë me një projekt tjetër të rrugëve të personazheve të Ismail Kadaresë në Gjirokastër. Është projekt, nuk e kemi akoma përfundimisht, si të thuash, aprovuar, se si do të jetë, po do ta çojmë deri në fund si projekt dhe pastaj nëse do të bindemi plotësisht se është gjëja e duhur, do ta bëjmë”, informoi ai./atsh/KultPlus.com