21 Korrik, 2024 - 11:41 am
Kanionet e Osumit në Berat janë shndërruar në një destinacion turistik gjithmonë e më të pëlqyer për aventurierët e sporteve të adrenalinës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Kanionet e Osumit, ku shihen turistë të dhënë pas aventurës, të cilët shijojnë energjinë dhe adrenalinën që të dhurojnë këto kanione.
“Super energjia e Kanioneve të Osumit”, shkruan Rama përbri videos së postuar.
Pamjet që të ofrojnë kanionet e Osumit janë mahnitëse, gjithë lartësi, kontraste për sa i përket dritës, bimësi e larmishme, një atraksion i vërtetë për turistët vendas dhe të huaj.
Ndërsa rafting në Kanionet e Osumit është tashmë një nga sportet më të preferuara të turistëve të huaj, por edhe atyre vendas sidomos në stinën e verës.
Në një distancë prej 13 kilometrash dhe rrethuar me shkëmbinj prej 100 metrash, praktikuesit e rafting kalojnë disa ujëvara si dhe një sërë operash arti natyral të krijuara nga erozioni, të pagëzuara me emra si “syri”, “porta e djallit”, “krokodili” apo “katedralja”./atsh/KultPlus.com