24 Prill, 2024 - 3:46 pm
Tirana gjithnjë e më shumë po kthehet në destinacionin e preferuar të turistëve të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale opinione të disa prej turistëve të huaj që kanë vizituar së fundmi kryeqytetin, të cilët shprehen të befasuar nga Tirana.
“Tirana, epiqendra dinamike e 365 ditëve turizëm, gëlon çdo ditë nga gjuhë të ndryshme të botës teksa zbulon një transformim sfidues sa modern, aq edhe autokton në mikpritjen e vet të ngrohtë siç shqiptarët e ofrojnë më së miri”, u shpreh Rama.
Tirana është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Evropa, por edhe më gjerë, ndërsa transformimi i kryeqytetit po zë gjithashtu hapësira në revistat më të njohura të botës.
Pyetjes se çfarë e ka befasuar në Tiranë, Suhad nga Australia shprehet se është shumë bukur të shohësh një xhami dhe një kishë në të njëjtin vend. “Këtë mëngjes ndërsa po bëhej falja e Bajramit mund të dëgjoje kambanat e kishës në të njëjtën kohë dhe mendoj se kjo është befasuese, por edhe shumë e bukur për Tiranën”, tha ai.
Për Sukinën nga Irlanda Tirana është krejt ndryshe, është në rritje. “Është mjaft moderne, por historike. Gjithashtu është mjaft e mirë për t’u parë, është një miks i bukur”, thotë ajo.
Devine nga Nigeria dhe Yan nga Belgjika vlerësojnë veçanërisht motin e mirë.
Për Emily nga Italia, gjëja që e ka befasuar më shumë në Tiranë është fakt që ka shumë gjelbërim, ajri është i pastër, njerëzit janë shumë simpatikë, sillen mirë mbi të gjitha me turistët. “Jemi ndjerë shumë të mirëpritur”, tha ajo.
Për John nga SHBA në Tiranë janë shumë vende të ndryshme ku mund të ecësh dhe të njihesh me lagjen duke ndjerë atmosferën vendase shumë thjesht.
Melisa nga Turqia shprehet se është befasuar nga njerëzit. “Më kanë befasuar shumë. Janë shumë miqësorë dhe janë vërtetë të gatshëm për të ndihmuar nëse ke nevojë për ndonjë ndihmë ose nëse ke ndonjë pyetje. Mendoja se do të ishin më dominues, ose ndoshta pak agresivë, por nuk janë aspak. Janë kaq të ëmbël”, tha ajo./atsh/KultPlus.com