18 Shkurt, 2023 - 8:50 pm
Ura e Kurcajt e vendosur në grykën mbi lumin Zezë në Krujë, është restauruar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale foto të kësaj ure, si ishte para restaurimit dhe si ka ndryshuar pamja dhe funksionaliteti i saj, pas restaurimit.
“Një tjetër urë historike, që gëzon statusin monument kulture, Ura e Kurçajt, ka rilindur pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019”, shkroi Rama.
“E ndërtuar në shek.XVIII, si pjesë e rrugës së karvaneve që lidhte Krujën me Tiranën, tashmë Ura e Kurçajt është një pikë lidhjeje me historinë, dhe një atraksion turistik gati për t’u vizituar”, theksoi kryeministri Rama.
Kjo urë është një tjetër sit që është restauruar nga programi EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës.
Ura e Kurcajt është ndërtim i shekullit XVIII. Ajo i shërbente rrugës së shkurtër të karvaneve Tiranë-Krujë sipas këtij itinerari: Tiranë-Zall Herr-Rradhesh-Mukaj-Buronjë-Kurçaj-Barkanesh-Krujë. Në faqet ballore ura është e punuar me gurë pllakë të zinj vendosur shtrirë, ndërsa kalldrëmi është i bërë me breza, tip shkallësh./atsh/ KultPlus.com