Rama: Ura e Mesit, destinacion i veçantë për turistët që vizitojnë Shkodrën

29 Janar, 2025 - 9:35 am

Ura e Mesit, një perlë e arkitekturës osmane, e ndërtuar në shekullin XVIII mbi lumin Kir, shkëlqen sërish pas restaurimit të fundit, duke theksuar mjeshtërinë e dikurshme dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Ura e Mesit tashmë e restauruar.

“Ura e Mesit, një perlë e arkitekturës osmane, mbi lumin Kir, që tanimë pas një restaurimi të thellë me financim të qeverisë, shkëlqen si një ndër destinacionet e veçanta për vizitorët e turistët gjithnjë e më të shumtë të Shkodrës”, shprehet Rama.

Ky monument që lidh të shkuarën me të tashmen, mbetet një destinacion i veçantë për të gjithë vizitorët, duke tërhequr turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë Shkodrën.

Artitektura e urës mbi lumin Kir, si dhe legjenda e ndërtimit të saj janë shumë intriguese sot e kësaj dite.

Ekziston një legjendë për Urën e Mesit, sipas të cilës, një tregtar turk hapi disa gropa për të shuar gëlqeren.

Për gati 20 vjet, fshatarët e pritën tregtarin për të ndërtuar urën. Më në fund ai erdhi, mblodhi banorët e filloi ndërtimin e urës.

Gëlqerja, që kishte qëndruar për 20 vjet në gropa, kishte një fortësi të tillë sa i lidhi mjaft mirë gurët e urës. Sipas legjendës, kjo urë është ndërtuar me gurë dhe gëlqere të shuar, pa çimento e hekur.

Ura e Mesit gjendet 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir. Ajo u ndërtua në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati dhe dikur shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Ura e Mesit ka gjatësi 108 metër, gjerësi 3.40 metër dhe ka 13 harqe jo simetrike./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme