8 Mars, 2023 - 10:41 am
Kryeministri Edi Rama uroi sot të gjitha gratë për festën e 8 Marsit, Dita Ndërkombëtare e Gruas, e njohur edhe si Dita e Nënës.
“Gëzuar “8 Marsin” me risinë që këtë vit e në vijim nënave të papuna me tre e më shumë fëmijë, sigurimet shoqërore e shëndetësore u paguhen nga shteti pas Këshillimit Kombëtar, ku shumica dhanë pëlqimin e tyre për këtë risi”, theksoi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Nga 1 janari i këtij viti çdo grua e papunë me 3 apo më shumë fëmijë deri 18 vjeç, me të ardhura familjare deri në 100 mijë lekë/muaj, do të subvencionohen nga shteti për masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, si një mbështetje direkte për kujdesin në 5 vitet e para të fëmijës.
Ky program planifikon të financohet në vlerën 600 milionë lekë. Kjo është një nismë e iniciuar nga anketimi përmes Këshillimit Kombëtar, për mbështetjen e nënave me tre e më shumë fëmijë.
Sot shënohet 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, e njohur edhe si Dita e Nënës. /atsh / KultPlus.com