14 Korrik, 2023 - 9:00 am
Velipoja, një ndër plazhet ranore me shtrirjen më të gjerë në Shqipëri, frekuentohet çdo vit nga mijëra pushues vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale përshtypjet e pushuesve për këtë sezon veror në Velipojë.
Rama tha se pushuesit “këtë vit e gjejnë më mirë të organizuar, si edhe më të pastër se asnjëherë më parë”.
“E mbajnë pastër më mirë se vjet. Plazhi është plot nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë”, tha një qytetar.
Një qytetare u shpreh se “jemi të kënaqur është përmirësuar shumë zona është e lirë, ka pastërti”.
“Siguria në plazh është e mirë ne po kalojmë shume mirë”, tha një tjetër qytetar.
Me një shtrirje prej mbi 14 km, plazhi i Velipojës është ndër më të preferuarit në veriperëndim të vendit edhe për shkak të cilësive kurative të rërës.
Rëra me efektin e saj kurativ, ndërthurja me hijeshi e detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, bëjnë për vete çdo vit pushues të shumtë.
Shumë prej tyre janë të përvitshëm në sezonin veror në Velipojë, të tjerë vijnë për herë të parë për t’u rikthyer vit pas viti. /atsh / KultPlus.com