10 Gusht, 2020 - 12:55 pm
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përkujtuar përmes rubrikës “Homazh”, publicistin dhe shkrimtarin e njohur arbëresh, Zef Skiroin.
Sipas Ramës, Skiroi meriton të kujtohet me krenari përjetë dhe vepra që la do të jetë padyshim një argument i fortë në përmbylljen me sukses të përpjekjes për përfshirjes e trashëgimisë se kulturës jomateriale arbëreshe në atë të përbotshme të UNESCO-s.
“Ky publicist, shkrimtar, gazetar, profesor nga më të mirët, shkroi një “Iliadë” të shqiptarëve të titulluar, “Te dheu i huaj”, bash në kohën pas pavarësisë së shetit shqiptar. Përkthyes i Virgjilit në moshë të njomë, bashkëbisedues i Pirandello-s, bashkëpunëtor i De Radës dhe kampion i çështjes shqiptare, Zef Skiroi u mbeti brezave si një nga penat më të thukëta e më prodhimtare të letrave shqipe”.
Postimi i plotë
ZEF SKIROI, arbëreshi i madh lindi 155 vjet më parë dhe rrugëtimin e jetës e nisi në legjendaren Piana dei Greci (më pas degli Albanesi), në një familje të shquar.
Ky publicist, shkrimtar, gazetar, profesor nga më të mirët, shkroi një “Iliadë” të shqiptarëve të titulluar, “Te dheu i huaj”, bash në kohën pas pavarësisë së shetit shqiptar. Përkthyes i Virgjilit në moshë të njomë, bashkëbisedues i Pirandello-s, bashkëpunëtor i De Radës dhe kampion i çështjes shqiptare, Zef Skiroi u mbeti brezave si një nga penat më të thukëta e më prodhimtare të letrave shqipe.
Dashuria e tij për dheun amë dhe zjarri patriotik që u ushqye prej asaj dashurie, mbeten sot e tërë ditën vlera të larta të komunitetit arbëresh, një bashkësi shqiposh kryelartë dhe europianësh të integruar më së miri, të cilët vijojnë sot e gjithë ditën të jenë hyzmeqarët e papërtuar të gjuhës sonë.
Zef Skiroi meriton të kujtohet me krenari përjetë dhe vepra që la do të jetë padyshim një argument i fortë në përmbylljen me sukses të përpjekjes sonë për përfshirjes e trashëgimisë se kulturës jomateriale arbëreshe në atë të përbotshme të UNESCO-s. / KultPlus.com