18 Nëntor, 2022 - 9:19 pm
Kryeministri Edi Rama u ndal sot te transformimi që ka pësuar Vlora falë investimeve të qeverisë, ndërsa solli në vëmendje faktin se më parë Vlora ishte vetëm një rrugë kalimi.
Gjatë prezantimit të investimeve publike të kryera në bashkinë e Vlorës, Kryeministri u shpreh se Vlora ishte tërësisht e braktisur.
“Për të mos folur për Himarën që ishte e lënë pas dore dhe faktikisht në mëshirën e disa zhvillimeve që kërcënonin ta shkatërronin njëherë e përgjithmonë, e për të shkuar më tutje në Sarandë. Ndërkohë që sot përsëri unë them të njëjtën gjë. Nëse e shohim me sytë e momentit kur u nisëm, sot është dita me diell me natën pa hënë krahasuar me të shkuarën. Ndërkohë që nëse e shohim ku jemi, me atje ku duam të arrijmë, ka ende për të bërë”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje faktin se në takimin që realizoi sot me operatorët turistikë të Vlorës, kishte dhe një grup të gjerë italianësh që banojnë në Vlorë, por edhe të ftuar, kryetarë komunash të Italisë.
“Pa diskutim që edhe ai takim nuk do të bëhej disa vite më parë, kur Vlora vetëm qytet turistik nuk ishte. Ishte rrugë kalimi dhe shumë pak njerëz vendosnin të qëndronin në Vlorë, se dhe mundësitë ishin shumë më të pakta”, tha ai. /atsh /KultPlus.com