1 Prill, 2024 - 2:41 pm
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur projektin fitues në konkursin ndërkombëtar për dizajnin e çerdheve dhe kopshteve në Lagjen Kolovicë.
Projekti është krijuar nga arkitektët Serhat Sen, Kemal Tas, Dilara Akdemir, Alican Tugenkoglu dhe Ramiz Laçi, të cilët sjellin një frymë të re në krijimin dhe realizimin e çerdheve dhe kopshteve.
Rama është shprehur se përmes krijimit të një shiriti të gjelbër në fasadë, kanë pasur për qëllim të shfrytëzojnë dheun që do të zhvendoset për ndërtim.
“Ngrehina është vendosur në një nga kodrinat e parcelës është dizajnuar mbi idenë e dizajnit që sheh nga brenda. Përmes krijimit të një shiriti të gjelbër në fasadë, ne kemi pasur për qëllim ta shfrytëzojmë dheun i cili do të zhvendoset për ndërtim. Hapësirat funksionale përfshijnë zyrat, depotë dhe dhomat teknike, të vendosura në të dy anët e hyrjes. Në holl, ana e majtë të çon tek ndarjet e kujdesit ditor, të lidhura me një atrium dhe një kopsht të jashtëm, të cilin e kemi quajtur “Kopshti i qetë””, ka thënë Rama i cili tutje ka bërë me dije se ngjitur, në anën e djathtë të hollit është korridori i lojërave, që të çon tek kopshti.
“Kjo hapësirë ka disa oborre të brendshme, njëri prej të cilëve është më i madh se të tjerët, brenda të cilit është një amfiteatër i cili është i ndërlidhur me çatinë. Po ashtu, një hapësirë tjetër e përbashkët, e ndërlidhur me ato të kopshtit, e cila zgjerohet në një oborr të brendshëm”, shprehet Rama. / KultPlus.com