16 Korrik, 2021 - 10:51 am
Rrjeti Ballkanik i gazetarisë Hulumtuese- BIRN, ka publikuar një raport rajonal vlerësues të transparencës qeveritare dhe llogaridhënies në Ballkanin Perëndimor, në të cilin Zyra e Presidentes Vjosa Osmani gjatë kohës sa ajo ishte ushtruese detyre është cilësuar institucioni më transparent në rajon në vitin 2020, përcjellë KultPlus.
Vlerësimi ka përfshirë institucione nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Sipas Raportit të BIRN, të dhënat e Zyrës së Presidentit të mëparshëm ishin krejtësisht e kundërta; kërkesat për të drejtë informimi nuk merrnin asnjë përgjigje ose refuzoheshin pavarësisht detyrimit ligjor.
“Që nga 5 nëntori 2020, kur Vjosa Osmani u emërua Presidente në detyrë e Kosovës, të gjitha kërkesat për të drejtë informimi nga gazetarët e BIRN (si fatura shpenzimesh, të dhëna financiare, ose procesverbale takimesh) janë zbuluar plotësisht, dhe në një kohë rekord, madje edhe para përfundimit të afatit ligjor”, thuhet në Raportin e BIRN-it.
Për periudhën 6 nëntor 2020 e deri ne fund te vitit 2020, Zyra e Presidentes ka pranuar 9 kërkesa për qasje ne dokumente publike. Këto kërkesa janë bërë një nga një person fizik, një nga një anëtarë i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitet, Rregullore te Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, si dhe shtatë nga mediat.
Në një diskutim të organizuar nga BIRN, Artan Murati, zëvendësshef i stafit të Presidentes, ka thënë se kjo transparencë e Zyrës është më shumë se vlerësim, përgjegjësi.
Sipas tij, Zyra e Presidentes, është dhe do të jetë e hapur ndaj çdo kërkese të shtruar, duke ofruar informacionet e kërkuara.
“Kemi hapur Zyrën përballë mediave, duke lehtësuar punën e tyre dhe duke dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë tonë për transparencë të plotë. Një hapje e tillë përballë kërkesave nga më të ndryshme jemi plotësisht të bindur se ka ndikuar edhe në besimin e qytetarëve në institucionin e Presidencës”, ka potencuar Murati. Më tej, ai ka thënë se ekziston vullneti i plotë i Presidentes të vendit, zonjës Vjosa Osmani që Zyra e Presidentes të jetë e hapur plotësisht si në vendimet që merr, po ashtu edhe në shpenzimin e parasë publike.
“Ky çmim sot, është një inkurajim për ne që të vazhdojmë me po këtë gatishmëri, që të jemi të hapur përballë secilës kërkesë, përballë secilit qytetarë në raport me secilin vendim apo shpenzim që bëhet në kuadër të Zyrës së Presidentes. Do të synojmë që të kemi qasje proaktive në këtë drejtim, duke shikuar mundësinë që dokumentet jo-sensitive të publikohen nga vetë Zyra”, ka theksuar në debat, Murati. / KultPlus.com