Pas raportimeve për dhunimin e dy vajzave, reagon GGD: Nuk ka moshë të sigurt për vajzat dhe gratë

13 Korrik, 2021 - 10:07 pm

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj abuzimit të një vajze 13-vjeçare nga Lipjani.

Përmess këtij reagimi GGD ka bërë thirrje që të mirren masat e duhura në këtë drejtim.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të GGD-së.

“Një fëmijë vajzë është përdhunuar për një kohë të gjatë. Mosha e saj është 13 vjeç e abuzimet e saj janë më shumë se kaq. Ajo është nga Lipjani por ngjarja e saj mund të ndodhte kudo. Kjo është raportuar dje e ndërkohë shtohet publikimi i detajeve të kësaj ngjarjeje.

Ne bëjmë thirrje si deputete që t’i dimë masat që janë marrë për këtë rast. Ndërkohë një 19 vjeçare rrëfen publikisht për përdhunim e trafikim pikërisht në moshën 13 vjeçare. Nuk ka moshë të sigurt për vajzat e gratë e fatkeqësisht nuk po ka as ambient. Rastet publike tregojnë se ka shumë viktima të tjera që mbesin gjithmonë anonime.

Grupi i Grave Deputete bën thirrje për kujdes dhe mbështetje maksimale ndaj të miturës në Lipjan. Ajo ka nevojë për trajtim shëndetësor por edhe përkrahje emocionale e psiqike. Atë që nuk ka arritur ta bëjë as familja duhet ta kompensojnë institucione në këtë rast. Siguri e mbështetje. Trajtim dinjitoz e përkrahje çdo viktime e dënim sipas ligjit për abuzuesit”. / KultPlus.com

Të ngjajshme