Reagon Klitschko: Nuk kam folur për shqiptarët, është lajm i rremë

27 Maj, 2022 - 8:44 pm

Kryetari i Kievit, Vitaly Klitschko nuk ka bërë asnjë deklaratë për Kosovën dhe shqiptarët. Këtë e ka thënë vetë ai sot nëpërmjet llogarisë së tij në Instagram.

“Miq! Disa media të huaja online, përfshirë ato ruse, vazhduan të përhapin citimin tim të pretenduar për Serbinë dhe Shqipërinë. Unë nuk komentova. Edhe para se të përcjellin këtë informacion të supozuar dhe të citojnë diçka, gazetarët duhet të kërkojnë konfirmim audio ose video të një deklarate të tillë”, ka shkruar Klitschko në Instagram.

Një medium shqip me seli në Zvicër i quajtur “Le Canton 27”, ka publikuar një deklaratë të cilën pretendon se e ka thënë Vitaly Klitchko, e që ndërlidhet me çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe çlirimin e Ukrainës nga Rusia.

“Më vjen shumë mirë që takoj për herë të parë një gazetar shqiptar, një rast i mirë për t’ju përcjell një porosi juve, popullit shqiptar në Ballkan. Kemi dëgjuar e lexuar se edhe ju shqiptarët si ne ukrainasit jeni njerëz të paqes, liridashës, por edhe luftarakë që e do nevoja, që na e imponon ndokush. Ne sot po luftojmë kundër regjimit rus që po tenton të okupojë vendin tonë, Ukrainën që mëse 100 ditë, sikur ju që ishit dikur të okupuar nga Serbia…”, ishte deklarata e Klitchko e publikuar nga Le Canton 27.ch.

Një deklaratë e tillë pati nxitur reagime të ashpra në Beograd, përfshirë një deklaratë nga Aleksandar Vulin, ministër i Mbrojtjes./ KultPlus.com

Të ngjajshme