29 Shtator, 2020 - 2:44 pm
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK), Mehmet Kraja, ka reaguar në lidhje me Projektin e Historisë së Përbashkët të CDRSEE-së, ku ishte i përfshirë edhe anëtari korrespodent i AShAK-ut, Frashër Demaj.
Sipas Krajës kjo është një ndërhyrje krejtësisht e çmendur në historinë e Kosovës nga e cila hiqen masakrat sërbe dhe toponimet e Kosovës bëhen sërbisht.
Ai tutje kërkon që kjo përgjegjësi duhet të tejkalojë individin dhe të marrë përgjigje institucionale.
Ky është reagimi i plotë i Krajës:
Një ndërhyrje krejtësisht e çmendur në historinë e Kosovës nga e cila hiqen masakrat sërbe dhe toponimet e Kosovës bëhen sërbisht. Përgjegjësia për shkarje të tilla nuk mund të ndalet te individët me mendje të turbullt e të korruptuar, por duhet të marrë përgjigje institucionale: MASHT-i dhe Instituti i Historisë nuk guxojnë ta bëjnë këtë, nuk mund të livadhisin në këtë mënyrë mbi historinë tonë, sepse janë institucione të Kosovës, që duhet të mbajnë përgjegjësi. Tani duket një makiavelizëm i shëmtuar nëse thua se nuk të janë marrë parasysh vërejtjet, por nuk distancohesh nga projekti, madje merr pjesë në panel kur bëhet promovimi i botimit të tij. Brengos fakti se këta njerëz sapo përballen me kritikë ose me përgjegjësi publike përmes një retorike djallëzore, por banale në substancë, i lajnë duart nga përgjegjësia si Ponc Pilati dhe na dalin patriotë të thekur. / KultPlus.com