7 Korrik, 2024 - 5:30 pm
Në Vlorë u zhvillua edicioni i 13-të i “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, në të cilën morën pjesë një numër rekord garuesish me plot 50 vela.
Garuesit përshkuan për disa orë Kanalin e Otrantos për të mbërritur në Gjirin e Vlorës.
Ishte një garë plot emocion, e cila dhuroi momente magjike në ekuipazhet e velistëve italianë, por edhe ata shqiptarë, të cilët ashtu si edhe vitet e tjera garuan si profesionistë të vërtetë.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ndau në rrjetet sociale momente nga ceremonia e mbrëmjes së djeshme ku u ndanë çmimet e Regatës Brindizi-Vlorë në edicionin e saj të 13-të.
“I lumtur që çdo vit numri i velierave pjesëmarrëse vazhdon të shtohet, duke e bërë këtë event gjithnjë e më spektakolar”, tha Dredha.
Ky aktivitet vlerësohet si një nga aktivitetet më të mëdha mes dy brigjeve të Adriatikut dhe përbën një moment kulmor në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve që lagen nga i njëjti det.
“Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, lindi në 2011-ën, në përvjetorin e 20-të të zbarkimit të emigrantëve shqiptarë në Brindisi, si një moment dhe si një mënyrë domethënëse për të kujtuar dhe përshkuar të njëjtin itinerar të shpresës për një ditë të re dhe të ardhme ndryshe.
Ky mesazh, kjo simbolikë, përcillen çdo vit në fillim korriku në atë pikënisje me kahje të kundërt që starton nga Brindisi për të mbërritur në Vlorë dhe anasjelltas, si dëshmi e ndryshimit dhe rrugës së vlerave të përbashkëta./ KultPlus.com