Regjisori Abrams ofron 10 milionë dollarë për organizatat që e luftojnë racizmin në Amerikë

2 Qershor, 2020 - 5:58 pm

Regjisori, skenaristi dhe producenti i njohur hollywoodian, J.J. Abrams dhe bashkëshortja e tij, kanë vendosur t’i dhurojnë 10 milionë dollar për fushatat anti-racizmit përgjatë pesë vjetëve të ardhshme.

Regjisori i filmave “Star Trek” dhe bashkëshortja e tij, Katie McGrath, janë zotuar ta dhurojnë këtë shumë të madhe të parave përmes kompanisë së Abramsit, “Bad Robot” dhe fondacionit të tyre bamirës “Katie McGrath and J.J. Abrams Family Foundation”, me qëllim që t’i ndihmojnë organizatat e përkushtuara në betejën kundër racizmit dhe ndërtimin e një shteti të drejtë për të gjithë, transmeton Koha.

Çifti fillimisht do t’i investojë nga 200 mijë dollarë për secilën prej organizatave në fjalë: “Black Futures Lab”, “Black Lives Matter LA”, “Community Coalition”, “Equal Justice Initiative” dhe “Know Your Rights”.

Në një deklaratë të lëshuar nga kompania “Bad Robot”, shkruhej: “Ne jemi falënderues ndaj shumë dijetarëve, aktivistëve, organizatorëve dhe liderëve në luftën e tyre ndaj padrejtësive sistematike në shtetin tonë. Pikërisht këta persona e kanë aftësinë dhe planin e duhur, për ta arritur një bashkim më të përkryer dhe të drejtë. Në këto kohëra delikate, fjalët qojnë shumë peshë, të dëgjuarit është shumë me rëndësi si dhe kërkohet investim. Neglizhenca dhe abuzimi shekullorë ndaj motrave dhe vëllezërve tanë zezak, mund të adresohet vetëm me anë të investimeve të shkallëzuara. Madje, si popull në tërësi, jemi vonuar tej mase në këtë drejtim. Prandaj, kemi vendosur t’i dhurojmë 10 milionë dollarë përgjatë pesë vjetëve të ardhshme, për organizatat të cilët janë të përkushtuara në ndërtimin e një shteti të drejtë për të gjithë.”

Thirrjes së regjisorit J.J. Abrams për të dhuruar në këtë kauzë, i janë bashkuar edhe yje të tjerë të showbizit të tillë si këngëtarët, The Weeknd dhe Harry Styles.

The Weeknd i ka dhuruar 200 mijë dollarë për organizatën “Black Lives Matter Global Network”, 200 mijë për fondacionin e Colin Kaepernickut “Know Your Rights” dhe 100 mijë dollarë për organizatën “National Bail Out”.

Harry Styles gjithashtu ka kontribuar në këtë organizatë e cila i ndihmon protestuesit e arrestuar, që ta paguajnë shumën e caktuar të lirimit me kusht. /KultPlus.com

Të ngjajshme