3 Gusht, 2020 - 3:02 pm
“Disa sende zgjasin më shumë se lidhja jote”…. është fraza më të cilën përmbyllet video reklama e kompanisë së mobileve “Candeo” e cila shfaq edhe skena dhune, shkruan KultPlus.
Një grua e cila goditet nga burri me mjete të forta, këputja e kokës së gruas dhe gjuajtja e saj afër derës, janë skenat që e përbëjnë këtë reklamë e cila ka nxitur reagime të shumta të qytetarëve të cilët e kanë konsideruar përmbajtjen e kësaj reklame si nxitëse të dhunës ndaj gruas.
Madje është kërkuar edhe raportimi i kësaj reklame.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Merita Salihu ka thënë se reklama është e dëmshme për shoqërinë, kurse paraqitjen e kësaj reklame në Radio Televizionin e Kosovës e ka konsideruar jo profesionale.
“Kjo reklamë prezanton dhunë të skajshme. D.m.th., biznesi e zhvillon reklamën me skenarë të dëmshme për shoqërinë; Radio Televizioni i Kosovës ua servon taksapaguesve të vet po atë reklamë të dëmshme, pa kurrfarë filtri, analize, kontrolli e profesionalizmi”, ka shkruar ajo në Facebook.
Mirëpo Salihu nuk është e vetmja që përmbajtjen e kësaj reklame e ka konsideruar të dëmshme dhe jo profesionale. Shqetësimet e saja i ka shprehur edhe Donika Emini ku pamjet që sipas saj tregojnë që pas tradhtisë burri ia heq gruas kokën vetëm sa nxisin dhe shfaqin mendësinë “e prishtë” në vendin tonë. / KultPlus.com
Për më tepër vlerësojeni vetë reklamën: