21 Shkurt, 2021 - 11:15 pm
Sot në Kosovë janë regjistruar 398 raste të reja me COVID-19, që është numri më i madh i rasteve të raportuara brenda 24-orëve që nga fillimi i vitit.
Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka vlerësuar se numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave, ndërsa përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
IKSHPK-ja ka rekomanduar qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme.
Njoftimi i plotë nga IKSHPK-ja:
Të nderuar qytetarë!
Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 398 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit.
Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Masat parandaluese janë të njejta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.
Andaj rekomandojmë edhe një herë:Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
Ndalimi rigoroz i tubimeve;
Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke redukuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!
Mbani në mend:
FYTYRA E MBULUAR ME MASKË! DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën!
Respektoni distancën!/ KultPlus.com