Rekomandimi për lirim të masave, gastronomët pezullojnë protestën e paralajmëruar

23 Shtator, 2020 - 5:00 pm

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka pezulluar për një javë protestën e paralajmëruar për të premten, më 25 shtator.

Ky vendim i gastronomëve vjen pas mbledhjes së Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me COVID-19, që u mbajt të martën.

Në mbledhjen e djeshme, është rekomanduar që disa nga masat të lirohen.

“Këto rekomandime u mbështetën edhe nga Ministri i Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, i cili në takimin e realizuar sot me shoqatën tonë, u zotua që vendimi i Qeverisë së Kosovës do të jetë pozitiv, pasi këto vendime gjithnjë janë në përputhje me rekomandimet e komitetit”, thuhet në njoftimin e gastronomëve.

“SHGK nëpërmjet secilit organizim, takim apo mbledhjeje të realizuar, ka kërkuar që masat sa i përket orarit të punës dhe qarkullimit të personave fizikë të shtyhen deri në ora 12:00, e po ashtu ka kërkuar që aktivitetet e shërbimeve në hapësira të brendshme të lejohen sa më shpejtë”, thuhet në njoftim.

Në bazë të këtyre zhvillimeve, gastronomët kanë vendosur që ta pezullojnë për një javë protestën e paralajmëruar.

“Në bazë të këtyre zhvillimeve, kemi vendosur që protesta e caktuar të premten me dt. 25.09.2020, të pezullohet deri në marrjen e vendimit të Qeverisë, të hënën me dt. 28.09.2020. Në rast të mosmarrjes së këtij vendimi, atëherë të hënën do të ju njoftojmë lidhur me datën dhe kohën e mbajtjes së kësaj proteste, me organizim dhe mbështetje sa më të madhe”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/Gastronometeprishtines/posts/1060523057715151

Të ngjajshme