Rektorati i UP-së ndërpret punën, por fakultetet po i mbajnë provimet

9 Korrik, 2020 - 8:27 pm

Shtimi i rasteve me COVID-19 nuk është duke e penguar Universitetin e Prishtinës që ta vazhdojë mbajtjen e provimeve të afatit të qershorit. Dy ditë më parë, Rektorati i UP-së e ka ndërprerë punën për shkak të paraqitjes së disa rasteve pozitive në këtë institucion. Mirëpo, nëpër fakultete çdo gjë po zhvillohet normalisht.

Përfaqësues të njësive akademike thonë se mosmbajtja e provimeve nuk varet nga ta dhe se, përderisa Universiteti nuk merr ndonjë vendim tjetër, ata e kanë obligim t’i realizojnë, raporton KOHA.

Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, ka thënë se në bazë të të dhënave që i kanë deri tash, në këtë fakultet nuk është paraqitur ndonjë rast pozitiv.

Gjatë ditës, ekipi i Kohës qëndroi edhe në Fakultetin Filozofik, derisa po mbahej një provim. Aty respektohej distanca, por një pjesë e madhe e studentëve nuk mbanin maska dhe i vendosën vetëm pasi panë kamerat.

Prodekani i këtij fakulteti, Arben Hajdari, ka thënë se studentët e kanë obligim të mos futen në fakultet pa maska dhe këtë nuk duhet ta lejojnë as vetë profesorët. Deri tash, sipas tij, nuk janë në dijeni për ndonjë rast me COVID-19 në këtë njësi akademike.

Koha ka pyetur Rektoratin e UP-së nëse do të vazhdojë edhe më tutje mbajtja e provimeve apo ato do të ndërpriten, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës. Të enjten, në Universitetin e Prishtinës ka vazhduar procesi i zgjedhjeve të përgjithshme, ku është votuar fizikisht për dekanët e njësive akademike.

Që nga mesi i marsit, ligjëratat janë mbajtur online për shkak të shfaqjes së pandemisë. Javë më parë, Ministria e Shëndetësisë, me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kishte lejuar që provimet të mbaheshin nëpër fakultete. Koha.net / KultPlus.com

Të ngjajshme