9 Nëntor, 2023 - 11:42 am
34 vjet më pare, më 9 nëntor të vitit 1989, rrëzohej Muri i Berlinit, një ngjarje që është bërë simboli i rënies së komunizmit në Evropë.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u nda në katër zona ushtarake; zona franceze, britanike, amerikane dhe sovjetike, po ashtu edhe qyteti i Berlinit.
Nga viti 1945 deri në vitin 1961, rreth tre milion njerëz shkuan nga Gjermania Lindore dhe Berlini Lindor në perëndim. Muri u ndërtua për të penguar largimin e gjermano-lindorëve, duke u bërë kështu simboli i mungesës së lirisë së tyre.
Pak pas mesnatës së 13 gushtit 1961, qeveria u dha urdhër më shumë se 40 mijë ushtarëve dhe policëve gjermano-lindorë të bllokonin me tela me gjemba gjithë kufirin, duke lënë vetëm 13 pika kalimi për në Berlinin Perëndimor.
10 mijë kilometra tela u shtrinë në perimetrin prej 155 kilometrash të Berlinit Perëndimor. Muri u përfocua herë pas here dhe deri në vitin 1989 ai numëronte 45 mijë blloqe betoni, 259 qen kufiri dhe 302 kulla vëzhgimi.Në mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, Muri i Berlinit u hap. Kufiri mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore, ku tanket e Traktatit të Varshavës dhe NATO-s qëndruan përballë njeri tjetrit për dekada me radhë, humbi kuptimin ashtu si dhe shteti socialist i Gjermanisë. 11 muaj pas rënies së Murit të Berlinit, Gjermania u ribashkua. / atsh / KultPlus.com