#Edheshqiptaredhedylber

17 Maj, 2020 - 5:58 pm

Grupi Replikë si një grup i aktivistëve të pavarur kosovarë të cilët refuzojnë të heshtin ndaj padrejtësive politike e shoqërore në Kosovë, sot ka ndërmarrë një aksion simbolik, shkruan KultPlus

Ata në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë kanë vendosur pankarta me mbishkrimin: Mundesh me konë edhe shqiptaredhedylber.

“Aktiviteti ka për qëllim të rikthesojë faktin se edhe shqiptarët janë pjesë e komunitetit LGBTIQ+”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Sot, më 17 maj, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë, ne, grupet e aktivistëve/eve të pavarur Replikë dhe Dylberizm, kemi ndërmarrë një aksion rrugor duke vendosur në vende të ndryshme të Prishtinës pankarta me mbishkrimin: Mundesh me konë #EdheShqiptarEdheDylber

Aktiviteti ka për qëllim të rikthesojë faktin se edhe shqiptarët janë pjesë e komunitetit LGBTIQ+.

Për vite të tëra, shqiptarët besojnë fuqishëm se janë popull heteroseksual e veç me dy gjini. Nëse dikush nuk identifikohet brenda këtyre binareve, atëherë konsiderohen si “jo shqiptarë”. Është koha që këto mite të rrejshme e të dëmshme të zhduken, dhe të zëvendësohen me pranimin e faktit të thjeshtë që: munesh me konë Edhe Shqiptar edhe Dylber.

Shqiptarët LGBTIQ+ kanë qenë dhë do të jenë gjithmonë pjesë e shoqërisë shqiptare. Këngët e vjetra për dashurinë mes burrave shqiptarë, arshikëve dhe dylberëve, na tregojnë që homoseksualizmi nuk është diçka e re në kulturën tonë. Burrneshat shqiptare na tregojnë që gjinia jo gjithmonë është fikse: burrë/mashkull apo grua/femër, por që është konstrukt i normave në të cilat jetojmë. Këngët dhe legjendat e vjetra shqiptare për kalimin e Ylberit na tregojnë që ndryshimi i gjinisë/seksit nuk është çrregullim mendor, por është një rrugëtim i bukur për të jetuar jetën plotësisht si vetja.

Këto pankarta të vendosura nëpër rrugët kryesore të Prishtinës, janë përkujtim për neve si shoqëri, se qytetarët LGBTIQ+ meritojnë respektin dhe trajtimin e barabartë si çdo qytetar tjetër, çdo ditë, në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo familje”.

Të ngjajshme