Republika Sërpska nuk i tërheq dekoratat për kriminelët e luftës

12 Maj, 2021 - 2:50 pm

Parlamenti i Republika Sërpskës në Bosnje e Hercegovinë e refuzoi kërkesën e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Valentin Inzko, për të revokuar dekoratat për kriminelët e dënuar të luftës.

Ligjvënësit e Asamblesë Kombëtare votuan në mbështetje të konkluzioneve që refuzojnë kërkesën e Inzkos.

Dy parti opozitare abstenuan nga votimi.

Në reagimin e tij të parë, Inzko e quajti “frikacak” udhëheqësin nacionalist serb të Bosnjës, Millorad Dodik, dhe tha se do ta njoftojë Bashkimin Evropian për vendimin e ligjvënësve.

Në shkurt, Inzko i dërgoi një letër Asamblesë Kombëtare të Republika Sërpskës, duke i kërkuar anulimin brenda tre muajsh të dekorimeve të lëshuara për njerëzit e dënuar për krime lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje, më 1992-95.

Ata që u dekoruan, përfshijnë Radovan Karaxhiqin, Momçillo Krajishnikun dhe Bilana Pllavshiqin, veprimet e të cilëve “tronditën botën… dhe shkaktuan vuajtje të paimagjinueshme njerëzore”, shkroi Inzko.

Dodik është anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës.

Shumica qeverisëse në Parlament drejtohet nga Aleanca e tij e Social-Demokratëve të Pavarur, SNSD.

Më shumë se 100,000 njerëz u vranë në luftën në Bosnje, e cila përfundoi me një marrëveshje paqeje, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, në vitin 1995.

Me këtë marrëveshje, Bosnja u nda në dy njësi: Federata Myslimane dhe Kroate dhe Republika Sërpska.

Karaxhiq, Krajishnik dhe Pllavshiq u dënuan për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për ish-Jugosllavinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme