12 Maj, 2021 - 11:54 am
Në Nivicë, 30 km larg Tepelenës falë programit të Rilindjes Urbane kanë marrë jetë agrobujtinat e para.
Një ndër to është dhe investimi i parë i huaj në turizëm, “Campnivica”, projekt i një grupi investitorësh suedezë që është gati të çelë sezonin turistik.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga ky investim i investitorëve suedezë.
“Mirëmëngjes ja edhe resorti ekologjik i investitorëve suedezë në Nivicë që po bëhet gati të çelë dyert këtë sezon”, tha Rama.
Ky investim synon ta kthejë Nivicën në një destinacion të turizmit elitar përmes një resorti të cilësisë së parë 100% ekologjik.
Qendra e Nivicës në 2018-ën është ndërtuar krejtësisht nga e para falë një projekti të mbështetur nga qeveria shqiptare. Sheshi i fshatit është shtruar komplet me gurë, ndërkohë që godinat dykatëshe, edhe ato të ndërtuara krejtësisht me gurët e Nivicës, i kanë dhënë një tjetër frymë fshatit që ka filluar të rigjallërohet.
Fshati Nivicë është pjesë e njësisë administrative “Kurvelesh”. Ndodhet 750 metra mbi nivelin e detit, rrëzë malit të Këndrevicës, 2100 metra të lartë. Në Nivicë ilirët në shekujt e IV-II para erës së re ndërtuan një kala si gjenezë e qytezës së më vonshme. Kalaja është ndërtuar mbi një shkëmb me lartësi 80 deri në 100 m. Pozicioni strategjik dhe kalaja bëri që ky vendbanim të ishte qendra e dytë me rëndësi e fisit ilir të Amantëve. Më tej vijnë kanionet e Nivicës. Ujëvara me lartësi 220 metra është ndër më të lartat në Europë. / atsh / KultPlus.com