Restaurimi i Muzeut Arkeologjik, impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit në Durrës

6 Dhjetor, 2024 - 8:00 pm

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ka bërë me dije sot se vijon me ritme të larta puna për restaurimin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Ky restaurim sipas Sakos, por kryhet në kuadër të programi EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“EU4Culture është një program mjaft i rëndësishëm për qytetin tonë që do të sjellë rivitalizimin dhe futjen në guida ndërkombëtare të disa objekteve të trashëgimisë sonë kulturore. Këto ndërhyrje do të sjellin impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit gjithëvjetor në qytetin tone”, tha Sako në një postim në Facebook.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit është një nga objektet e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Ai është muzeu arkeologjik më i madh në vend, me një koleksion të gjerë të përbërë nga më shumë se 3000 artefakte të zbuluara në zonën e lashtë të Dyrrahut, gjë që tregon për zhvillimin e qytetit të Durrësit gjatë Antikitetit të Vonë dhe në Mesjetë.

Pas rinovimit, muzeu do të ketë një pamje moderne dhe do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme arsimore që do t’i lejojë vizitorët të “zhyten” dhe të përjetojnë historinë e lashtë përmes tregimit klasik dhe të teknologjisë së lartë, si dhe realitetit virtual e mjeteve multimediale. Vizitorët do të jenë në gjendje të lundrojnë në historinë e lashtë të Durrësit, duke eksploruar rrugë të riskicuara, të mrekullohen me thesaret e reja të zbuluara gjatë misioneve të fundit arkeologjike nënujore dhe të mblidhen së bashku për ngjarje dhe shfaqje kulturore nën një hapësirë urbane në natyrë tërësisht të ridizajnuar./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme