Restaurohet Kalaja e Prezës, Margariti: Ndërhyrje delikate, falë ndihmës bujare të SHBA

15 Maj, 2022 - 4:04 pm

 Kalaja e Prezës, 22 km nga Tirana, i është nënshtruar restaurimit pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit të vitit 2019.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-së në vendin tonë, Yuri Kim përuruan sot restaurimin e saj.

“Një ndërhyrje delikate, realizuar falë ndihmës bujare të SHBA, që akordoi për ringritjen e monumenteve të kulturës gjithë Fondin e Ambasadorit për Trashëgiminë, ashtu si nuk kishte ndodhur më parë”, tha Margariti.

Ministrja tha se restaurimi i kalasë së Prezës, zbatuar nga CHwB Albania, nuk ishte i lehtë për shkak të shkallës së dëmtimit, por edhe teknikave të ndërtimit të saj. Ndaj, shtoi ajo, është bërë një punë e madhe, jo thjesht për të ringritur kullën apo për të restauruar muret, por për të “shëruar” të gjitha patologjitë e hasura gjatë ekspertizës së monumentit, për ta përforcuar, për ta bërë atë më rezistente ndaj lëkundjeve sizmike, por pa cenuar vetë monumentin.

Ky përurim përkon me fillimin e Javës së Kulturës Amerikane, mbushur me aktivitete masive, të hapura për publikun, që i shërbejnë njohjes së njëri-tjetrit dhe promovimit të kulturave të dy vendeve tona.

Kalaja e Prezës është një kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët, se duhet të jetë ndërtuar që andej nga shekulli XIII – XIV. Kalaja ka shërbyer si pikë e fortifikuar për të mbrojtur Krujën nga rreziqet që mund t’i vinin nga deti. /atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme