27 Shkurt, 2024 - 9:00 pm
Drejtoria Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë është në proces të përditësimit dhe miratimit të projektit “Restaurimi i Muzeut Etnografik” në qytetin e Elbasanit, për të cilin Bashkia Elbasan ka miratuar fondin për restaurimin e godinës të rëndësishme për historinë dhe kulturën e qytetit.
Muzeu Etnografik i Elbasanit ndodhet në një shtëpi karakteristike me çardak e ndërtuar në shekullin XVIII. Shtëpia është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I në 15 janar 1963, duke u dalluar për arkitekturën e veçantë dhe ndër më të bukurat në llojin e vet në trevën e Elbasanit.
Muzeu përmban dy kate, ku kati i parë dikur ka shërbyer si magazinë për rezervat ushqimore dhe kati i dytë për banim. Pas shpalljes së tij si muze në vitin 1986, kati i parë u përdor për ekspozimin e historikut të qytetit dhe zejeve të trevave të Elbasanit, ndërsa kati i dytë u konceptua në mënyrë të tillë për të reflektuar mënyrën e jetesës, traditat, veshjet dhe pasurinë etnografike dhe kulturore të qytetit dhe trevave përreth, duke treguar nivelin e zhvillimit ekonomik të qytetit në atë kohë dhe duke shërbyer si dëshmi e gjallë e historisë së qytetit.
Parashikimi për ndërhyrje restauruese të muzeut është hap i rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të qytetit./KultPlus.com