24 Gusht, 2021 - 1:42 pm
Në urën e Ali Pashë Tepelenës kanë nisur punimet për restaurimin e këmbëve të saj.
Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Gjirokastër Pezana Rexha tha se “punimet për restaurimin e këmbëve të urës janë në vazhdim të punës së nisur vitin e kaluar, e cila u la në mes për shkak të shtimit të prurjeve të lumit”.
“Përveç këmbës së rrezikuar që ndodhet në rrymën e lumit, e cila u bë dhe me mur, por nuk përfundoi atëherë aktualisht kanë gërmuar dhe te këmbët e tjera në anën e përtejme të lumit dhe kanë filluar forcimin e tyre me garbiona (kubik me rrjet teli të mbushur me gurë)”, – tha Rexha.
Sipas saj, vitin e kaluar kjo gjë u bë dhe te dy këmbë të tjera në anën e përtejme pra në të djathtë të rrjedhës së lumit.
Ura e Ali Pashës, ose ndryshe Ura e Dunavatit, është pjesë e një kompleksi të madh të ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, në fillim të shekullit 19. Ujësjellësi u ndërtua për të furnizuar çisternat e kështjellës me ujë nga Mali i Sopotit, 10 kilometra larg. Gjirokastra nuk kishte ujë në atë kohë dhe Ali Pasha pa nevojën urgjente të kësaj strukture.
Ura është rreth 30 minuta larg nga Gjirokastra. Ujësjellësi u shkatërrua thuajse tërësisht në vitin 1932, por ky seksion në lagjen Dunavat ka mbetur ende. Një pamje e vërtetë e kësaj ure të famshme mund të shihet në pikturat e Eduard Lear, poeti dhe piktori i madh britanik, që udhëtoi në këtë zonë në mes të shekullit të 19.
Turistët që zgjedhin të vizitojnë Gjirokastrën shkojnë edhe tek ura historike. Gjirokastra ka shumë potencial si atë natyror, historik e kulturor, por ajo që është e rëndësishme mbetet investimi në ruajtjen e këtyre vlerave që i japin formë këtij qyteti./atsh/KultPlus.com