17 Prill, 2024 - 9:01 am
Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e publikut për ndihmë në lokalizimin e xhudistit Akil Gjakova, i cili është akuzuar për dhunë në familje, për këtë rast ka shkruar edhe Reuters.
“Policia e Kosovës po kërkon nga të gjithë qytetarët që kanë informacion për lokacionin e të dyshuarit të njoftojnë stacionin më të afërt policor”, ka thënë policia përmes një njoftimi publik me foton e Gjakovës të bashkëngjitur, pa dhënë detaje për akuzat.
Mediat lokale më herët kanë raportuar se gruaja e tij e ka paraqitur rastin në polici.
Gjakova, 28-vjeç, ka fituar 62 medalje në xhudo, përfshirë gjashtë arta, që nga viti 2011 në gara të ndryshme ndërkombëtare, dhe pritej të merrte pjesë në lojërat olimpike Paris 2024.
Federata e Xhudos e Kosovës ka thënë se është në kontakt me Gjakovën dhe besojnë në pafajësinë e tij, duke thënë se ai ishte jashtë vendit dhe do të dorëzohet para autoriteteve porsa të kthehet.
Urdhri për arrest ndaj Gjakovës vjen teksa vendi u trondit kur një burrë vrau gruan e tij të martën, pak kohë pas një femicidi tjetër të premten e kaluar kur një burrë vrau ish-bashkëshorten e tij në Ferizaj. / KultPlus.com