Reuters për Prishtinën: Me grafite po mundohet të bëhet më tërheqëse

30 Korrik, 2023 - 7:31 pm

I njohur si kryeqyteti i betonit, Prishtina po përpiqet të ringjallë imazhin e saj të shurdhër dhe gri me mbishkrime të gjalla në mure dhe ndërtesa, duke ndihmuar në transformimin e hapësirave publike në zona më tërheqëse dhe më të gjalla.

Kështu e nis tekstin mediumi i njohur Reuters, duke e përshkruar dukjen më ndryshe të kryeqytetit të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

Reuters shkruan se më shumë se 100 artistë nga 28 vende kanë mbuluar 2000 metër katror mure në Rrugën B (Rruga B) në qytet me art në një festival gjatë tre ditëve të fundit.

Kjo rrugë ndan ndërtesat e vjetra komuniste në perëndim me ato të reja në lindje, të cilat kanë të gjitha një gjë të përbashkët – hapësirën e pakët për përdorim publik dhe një bollëk betoni.

“Kur sheh betonin të jep përshtypjen se është ende në ndërtim e sipër”, tha Agon Xhelili, organizator i festivalit, Meeting of Styles Kosova.

“Kur artistët shohin këto vende ata thonë: ‘dreqin, ky është vendi më i mirë për të pikturuar’.

Organizata jofitimprurëse me të njëjtin emër, Meeting of Styles, u krijua në mesin e viteve ’90 në Gjermani, duke mbështetur artistë që mund të pikturonin ligjërisht mijëra metra katrorë zona të braktisura.

Që nga krijimi i saj, ajo ka organizuar më shumë se 400 evente si ai në Prishtinë, duke ndihmuar mijëra artistë në mbarë botën.

Daniel Sharon, një artist nga Londra që merrte pjesë në ngjarje me vëllain e tij, po pikturonte motive nga filmi horror bardh e zi i viteve 1950, Krijesa nga Laguna e Zezë.

“Unë mendoj se do të jetë vërtet pozitive (vizualisht dhe për turizmin) nëse lejojnë më shumë murale të artit publik”, tha Sharon.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, ky vendi i vogël ballkanik pa një bum të ndërtimeve./KlanKosova/KultPlus.com

Të ngjajshme