27 Mars, 2022 - 1:00 pm
Një fotografi e shkrepur në vitin 2003, shfaq qiellin e Bagdadit duke shndrit natën si pasojë e raketës që shpërthen mbi një ndërtesë, e ajo është shpërndarë në llogarinë e misionit të përhershëm të Rusisë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duke tentuar të manipulojnë sërish – kinse është fotografi nga bombardimet e NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës së Sllobodan Millosheviqit, shkruan Reuters.
Llogaria e verifikuar shpërndau imazhin gjatë 24 marsit me tekstin: “më 24 mars 1999 koalicioni i NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kryen agresionin e paprovokuar dhe ilegal kundër Republikës Federale të Jugosllavisë që zgjati 78 ditë”, transmeton Telegrafi.
Fotografia e përdorur në postim mund të shihet në Getty Images me një kërkim të thjesht që shkruhet: “Zjarr në ndërtesën e Këshillit të Ministrave të Saddam Husseinit, gjatë valës së parë të sulmeve në operacionin ‘Liri Irakut’, e shkrepur më 21 mars të vitit 2003 në Bagdad, Irak.
Ndryshe Shtetet e Bashkuara së bashku me NATO-n filluan bombardimet mbi caqet ushtarake të Serbisë gjatë vitit 1999, për të ndalë vrasjet masive të civilëve shqiptarë në Kosovë si dhe dëbimin e një milion qytetarëve.
NATO që më 24 mars filloi sulmet kundër makinerisë së ushtrisë dhe policisë së Sllobodan Millosheviqit, duke e goditur për 78 ditë derisa Serbia u dorëzua dhe u largua përfundimisht nga Kosova. /KultPlus.com