Revista “Travel+Leisure”: Plazhi Pasqyra në Shqipëri është plazhi me ujin më blu në botë

23 Gusht, 2024 - 12:24 pm

Kërkimet kanë treguar se plazhi me ujin më blu në botë gjendet në Europë dhe përkatësisht në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një artikull të revistës së njohur “Travel+Leisure”, në të cilin ju jepet informacion njerëzve të gjejnë ujin më blu.

Sipas artikullit, grupi CV Villas analizoi rreth 200 plazhe përreth botës, duke përdorur kodin RGB të ngjyrës dhe duke e kryqëzuar atë me kodin YInMn Blue ose bluja më e thellë që ekziston, e cila u zbulua në vitin 2009, nga shkencëtarët e Oregon State University në SHBA.

Hulumtimi nxorri se plazhi Pasqyra në jugun e Shqipërisë është plazhi me ujin më blu në botë.

Revista thote se Plazhi Pasqyra është vetëm 12.4 pikë (ose gradacione) larg nuancës YInMn Blue, çka e vendos atë të parin në listë, ndjekur nga Plazhi i Gjatë (Paralia Mpouka) në Greqi, në vendin e dytë me 13.6 pikë larg YInMn Blue, e pastaj Kassiopi po në Greqi në vendin e tretë dhe Plage de la Vernette në Francë e Plazhi Kaputaş në Turqi përmbyllin pesëshen e më të mirëve.

“Morali i kësaj historie”, përfundon revista, “është se nëse dëshironi të shihni disa ujëra vërtet të kaltër, rezervoni sa më parë një fluturim për në Shqipëri dhe në Greqi”.

Turizmi është shndërruar në sektorin kryesor të ekonomisë. Turistët e huaj kanë nisur të vërshojnë që në janar. Statistikat tregojnë se vendi u vizitua nga 6.3 milionë të huaj në periudhën janar-korrik, nga 5.1 milionë të huaj që e vizituan atë në të njëjtën periudhë të 2023-shit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme