Rezultatet e dobëta në PISA, ETEA me aksion simbolik para Qeverisë

4 Dhjetor, 2019 - 6:08 pm

Organizata joqeveritare ETEA, përmes një aksioni simbolik para objektit të Qeverisë së Kosovë, ka shprehur pakënaqësinë për rezultatet e dobëta që Kosova ka treguar në testin ndërkombëtar PISA.

Këtu keni statusin e plotë të ETEA-së të postuar në llogarinë e tyre në Facebook:

“Kosova, ngjashëm sikurse në vitin 2015 kur mori pjesë për herë të parë në Programin për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve, renditet në fund të tabelës me rezultate alarmante në lexim, matematikë dhe shkencë.

Rezultatet e PISA-s për këtë vit tregojnë ngritje krejtësisht minimale në lexim dhe matematikë, përderisa në shkencë kemi rënië. Kjo ngritje minimaliste nga PISA cilësohet si performancë “stabile”, pra dallim i pa vlerësueshëm, për dallim nga MASHT e cila në konferencën për media e konsideron si përmirësim. Në anën tjetër, rënien në shkencë të vlerësuar nga PISA, në konferencën e MASHT-it kjo çështje nuk trajtohet fare për publikun. Sidoqoftë, duke pasur parasysh se në vitin 2015 ku Kosova renditej e treta nga fundi në tabelë morën pjesë 72 shtete, ndërsa në vitin 2018 ishin pjesëmarrëse 79 shtete, derisa Kosova prapë qëndron në vendin e tretë nga fundi i tabelës, kjo në aspektin e përgjithshëm nënkupton rënie të perfoëmancës së nxënësve gjatë këtyre tri viteve paraprake.

Për ne këto rezultate shqetësuese janë pasojë e neglizhimit institucional të arsimit nga të gjitha qeveritë e pas-luftës. Problematike megjithatë jo e befasishme mbetet performanca e nxënësve dhe rrjedhimisht e mësimdhënësve në teste të cilat vijnë kryekëput nga mos-interesimi i shtetit për të investuar në arsim. Siç tregon praktika institucionale e pas-luftës, buxhetimi i edukimit në Kosovë mbetët i dobët që pasohet me politika të dobëta dhe dështim të sigurimit të cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Ndarja buxhetore e viteve të fundit është tregues i neglizhimit të arsimit në planifikim qeverisës me një mesatare prej 50 milion euro në vit për dallim nga infrastruktura e cila në këto vitet e fundit është financuar me një mesatare prej 250 milion euro në vit.

Për më tej, siç tregojnë edhe këto rezultate, arsimi në Kosovë vazhdon të jetë thellësisht i politizuar dhe i korruptuar, duke rezultuar në tentativa të dobëta dhe joserioze për ndërhyrje në sistem. Gjatë viteve të kaluara, të vetmet protesta dhe probleme që janë adresuar zëshëm në arsim janë ato për rritjen e pagave të cilat nuk janë duke dhënë rezultate të dukshme në ngritje të cilësisë. Gjithashtu, MASHT nuk ka punuar përmbajtësisht në hartimin e politikave përmbajtësore për përgatitje cilësore të nxënësve por është marrë me fushata të dëmshme të “përgatitjes së nxënësve për testin PISA” të cilat veç kanë shpërfaqur çalimet serioze në arsim në Kosovë.

E gjithë kjo sipas nesh tregon që shteti duhet të marrë përgjegjësi për përmirësimin e sistemit arsimor përmes politikave të mirëfillta arsimore dhe parandalimin e degradimit të mëtejshëm të cilësisë së arsimit në Kosovë. Gjithashtu ne vlerësojmë nevojën imediate që arsimi të vendoset në qendër të planifikimit qeverisës në nivel kombëtar dhe ndërmarrjen e reformave substanciale dhe strukturore në sistemin arsimor në Kosovë.

Kjo gjendje e sistemit arsimor përveç përgjegjësve institucional, na bënë të gjithëve përgjegjës për të ndërmarrë hapa dhe avancimin e cilësisë në arsim. Ndërsa qeveria e ardhshme jo vetëm se duhet ta trajtojë si prioritet arsimin në Kosovë por edhe të shpallë një lloj situate emergjente në arsim, pasi zhvillimi i kësaj të fundit ka efekt domino në të gjitha fushat tjera të shoqërisë dhe shtetit”.

Kujtojmë se edhe në vitet paraprake vendi jonë kishte shënuar rezultate të dobëta në testin PISA. / KultPlus.com

Të ngjajshme