6 Dhjetor, 2021 - 5:00 pm
Albert Prenga do të jetë instruktori i ri i kursit të çiftelive, pranë Qendrës “Margarita Xhepa”, në Asti, Itali.
Albert Prenga me origjinë nga Puka ka një përvojë dhjetra vjeçare në instrumentin e çiftelisë dhe është ofruar për të vazhduar këtë kurs me fëmijët në Diasporë.
“Duke i uruar mirë se ardhjen, e falenderojmë nga zemra për këtë përkushtim të tij! Duke marrë shkas nga ky xhest kaq i përgjegjshëm e patriotik i Albert Prengës, u bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi t’u ofrojnë përvojën, talentin e tyre edhe në instrumenta të tjerë popullore si lahuta, dajrja, fyelli, bilbili, pipza, daullja, por edhe instrumentiste si piano, fisarmonikë, tastierë, kitarë, mandolinë… ose dhe muzikantë, për fëmijët tanë të lindur këtu në Itali.
Ky do të jetë një tregues i lartë atdhedashurie, patriotizmi dhe sakrifice që bëni ju për ruajtjen e traditave dhe kulturës sonë kombëtare edhe jashtë atdheut”, shkruhet në Facebook-un e qendrës “Margarita Xhepa”. / KultPlus.com