Rikonstruksioni i Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Sako: Ambiente moderne

4 Mars, 2025 - 12:37 pm

Godina e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës i është nënshtruar rikonstruksionit tërësor, falë investimit të Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ishte sot në këtë godinë, për të ndjekur nga afër punimet që po kryhen në rikonstruksionin tërësor, nga ana fizike, tek ajo arkitektonike, që sipas Sakos do të ofrojnë kushte dhe mundësi të mira pune për stafin teatral, punonjësit e qendrës dhe artistët që ushtrojnë aktivitetet e tyre në këtë godinë.

“Pas restaurimit kjo qendër do të ketë ambiente moderne për zhvillimin e aktiviteteve artistiko-kulturore për qytetin e Durrësit si dhe do të ofrojë një shërbim sa më cilësor për të gjithë qytetarët dhe artdashësit që do ta frekuentojnë atë”, thotë Sako.

Sipas kryetares së bashkisë së Durrësit, ky projekt e ka afatin e përfundimit të punimeve dy vjet sipas kontratës, por puna është ndarë në faza për të mos penguar punën e artistëve.

“Kjo fasadë ka një specifikë të veçantë, ne në Durrës nuk e kemi vendosur në asnjë objekt tjetër, por nuk e di në Tiranë a ka eksperiencë për realizimin e tyre. Kemi organizuar punën që të mos pezullojmë aktivitetin e Qendrës Kulturore dhe Teatrit, por edhe të punojmë në ato ambiente në të cilat janë të pavarura dhe nuk pengojnë aktivitetin dhe aksesin e artistëve”, pohon ajo.

Një prej drejtuesve të këtij projekti, shprehet se “e gjithë zona që është në shërbim të aktorëve ka përfunduar me nënshtresat, shtresat, edhe tavani sepse është i varur. Punimet e nëntokës pjesa elektrike, hidraulike, të gjitha janë kryer. Kemi punuar me sistemin e aspirimit në tavan që është në të gjithë perimetralin e godinës”.

“Sistemi i aspirimit, ngrohja-ftohja janë shumë të rëndësishme plus komponenti i akustikës, është vendosur me elementë të veçantë, sepse kanë një efekt shumë të rëndësishëm në funksionimin e objektit. Ne duam që ky objekt të funksionojë me dekada sepse është një investim që bëhet për herë të parë, kështu që duam që ky investim që është financim i Qeverisë shqiptare dhe MEKI-t të jetë model për punën që do të bëhet këtu dhe funksionin më tej të teatrit. Teatri i Durrësit ka akustikën më të mirë në nivel kombëtar nga sa thonë aktorët dhe profesionistët që punojnë këtu, ndaj të gjitha punimet duhet të kenë siguri dhe funksionalitet maksimal”, përfundon Sako./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme