Rikonstruktimi i Galerisë së Arteve në Vlorë, Dredha: Hapësirë e denjë për artistët dhe artdashësit

16 Janar, 2025 - 3:53 pm

Në qytetin e Vlorës vijon puna për rikonstruksionin tërësor të Galerisë së Arteve.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha inspektoi punimet që po kryhen në galeri.

“Galeria e Arteve do t’i dhurojë artistëve të qytetit dhe miqve që ekspozojnë punët e tyre gjithmonë në Vlorë, hapësirën e denjë për të komunikuar me artdashësit, përmes gjuhës së tyre të ngjyrave e ideve. Tashmë me dy kate, galeria do të ketë sistemin e posaçëm të ndriçimit dhe gjithë tjetër ç’i duhet ekspozimit të vlerave të pikturës”, tha Dredha në një postim në rrjetet sociale.

Galeria e Arteve në Vlorë është pjesë përbërëse e Pallatit të Kulturës “Labëria”, e ndërtuar gjatë viteve të regjimit të diktaturës. Projekti paraqet elementet tipike të arkitekturës racionale të asaj periudhe. Gjatë viteve ndërtesa ka pësuar ndryshime të vogla, por pa prekur funksionalitetin e saj.

Qëllimi i projektit të rehabilitimit është të krijohen kushte te favorshme për vendosjen e pajisjeve dhe hapësirave ndihmëse për ushtrimin e funksioneve të një galerie bashkëkohore dhe në shërbim të komunitetit.

Objektivat specifike të projektit janë: krijimi i kapaciteteve, hapësirave optimale për menaxhimin, ruajtjen dhe ekspozimin e veprave të artit pamor dhe jo vetëm; përmirësimi i aksesit për vizitorë të grupmoshave te ndryshme si dhe promovimin e ideve inovatore interaktive dhe fuqizimin e muzeve nëpërmjet teknologjisë të cilat rrisin atraksionin dhe qasjen më të gjerë nga publiku./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme