Rikonstruktohet qendra e vizitorëve në Parkun Kombëtar të Prespës

10 Prill, 2023 - 11:54 am

 

Parku Kombëtar i Prespës, një ndër zonat më të bukura natyrore në juglindje të vendit, është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik për turistët vendas e të huaj.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bëri të ditur se, në Goricë të Vogël kanë filluar punimet për rikonstruksionin e qendrës së vizitorëve.

“Punimet kanë në fokus ridizenjimin e ambienteve dhe krijimin e hapësirave të reja, që do të mund të përdoren për evente të ndryshme nga administrata e parkut kombëtar të Prespës”, theksoi AKZM.

Parku Kombëtar “Prespa” hyn në zonat e mbrojtura në kategorinë 2, vendim i cili është shpallur në vitin 1999.

Përfaqësuesit specifikë të florës dhe faunës në park janë Venja (Juniperus excelsa), (Centaurea prespana), (Viola eximia), Dhia e egër e Ballkanit (Rupicapra r. balcanica), Ariu i Murrmë (Ursus arctos) Pelikani kaçurrel (Pelicanus Crispus). Monumente natyre në park janë: Venjat e Kallamasitrit, Zgavra e Zaverit, Dushqet e Manastirit Djellas, Ishulli i Maligradit, Gurët e Mumjes, Shpella e Tren.

Objekte kulturore, fetare, historike brenda zonës janë Kisha e Shën Marenes, Kallamas, Kisha e Shën Gjergjit Gollomboc, Kisha e Shën Pjetrit Zaroshkë, Kisha e Shën Mërisë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme