22 Gusht, 2021 - 9:09 am
Komuniteti shqiptaro-amerikan në Waterbury, Connecticut ka njoftuar se edhe këtë vit do të realizoje festivalin e kulturës shqiptare, panairin më të madh të kulinarisë tradicionale shqiptare, transmeton KultPlus.
“Komuniteti shqiptaro-amerikan është krenar që shpall zyrtarisht Festivalin e 16-të Vjetor Shqiptar në Waterbury, Connecticut. Kjo ngjarje do të zhvillohet të Premten, 24 Shtator dhe të Shtunën, 25 Shtator 2021.
Miqtë e Komunitetit Shqiptar dhe bizneset e komunitetit tonë e kanë mbështetur dhe sponsorizuar bujarisht këtë ngjarje ndër vite. Këtë vit do të kemi nevojë për mbështetjen tuaj më shumë se kurrë dhe një mbështetje e tillë do të jetë themeli i këtij eventi për mbledhjen e fondeve”, thuhet në njoftim.
Gjatë këtyre viteve pjesë e këtij manifestimi kulturor shqiptar kanë qenë më shumë se 5 mijë pjesëmarrës.
Eventi i përvitshëm përfshin aktivitete kulturore, muzikë dhe kuzhinë shqiptare. Përmes këtij aktiviteti, komuniteti shqiptar prezanton kulturën, muzikën, traditat dhe ushqimet e autentike shqiptare në komunitetin amerikan të Greater Waterbury, SHBA. / KultPlus.com