6 Shtator, 2023 - 5:04 pm
Teatri i Operës dhe Baletit hapi thirrjen e tretë për Masterclass- Bashkëpunues, në programin profesional muzikor “Akademia Teatrale”, që synon evidentimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinën lirike.
Nën kujdesin e veçantë dhe mjeshtëror të sopranos ikonike, Ermonela Jaho, e cila hodhi gurin e parë të themelit të këtij programi, nga data 2– 5 tetor, artistët e rinj të moshës 18-30 vjeç, do të kenë mundësinë të trajnohen plotësisht pa pagesë, rreth teknikës fizike të këndimit, asaj të interpretimit e këndimit, përgatitjes psikologjke të repertorit dhe ndërtimit të një roli.
Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më datë 25 shtator, për gjithkënd që e ndjen veten të vendosur teknikisht dhe do të përforcojë aftësitë nëpërmjet metodave të reja.
E veçanta e këtij masterclass-i është se do të mundësohet për gjithë të interesuarit të bëhen dëgjues, pa dallim moshe a profesioni. Gjithashtu TKOB fton edhe mësuesit /pedagogët e interesuar për të bashkëpunuar në ndërtimin e një plani të përbashkët pune me nxënësit /studentët, të cilët janë mëse të mirëpritur./atsh/KultPlus.com