27 Maj, 2022 - 9:04 am
Në 4 muajt e parë të këtij viti, mbi 1 milionë të huajë kanë hyrë në Shqipëri, duke rikthyer në normalitet turizmin atje, përcjell KultPlus.
Numri më i madh i vizitorëve është shënuar gjatë muajit prill, me 40 për qind të totalit. Ky rezultat është indikacion se COVID-19 është lënë pas dhe lëvizja e lirë po kthehet në normalitet.
Të dhënat e Institutit të Statistikave INSTAT tregojnë se vizitorët u rritën ndjeshëm në prill, muaj që përkon me rritjen graduale të temperaturave, njëherësh edhe me heqjen e masave anti-COVID.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur pandemia ishte në kulmin e vet dhe lëvizjet vijonin të ishin të kufizuara, hyrjet e të huajve në vend janë rritur me 42 për qind.
Megjithatë, hyrjet nga Kosova ranë me afër 14 për qind, derisa hyrjet nga shtetet e tjera sikurse Greqia e Spanja u shumëfishuan.
Pjesa më e madhe e vizitorëve kanë ardhur nga rajoni, fluks të shtuar ka pasur nga Britania e Madhe, ndërsa polakët janë rikthyer si tre vjet më parë.
Shumica e të hyrave gjatë muajin prill ishin pikërisht për turizëm. /KultPlus.com