Rilindja e shndritshme e Notre-Dame de Paris

7 Dhjetor, 2024 - 3:01 pm

E shkatërruar nga një zjarr në vitin 2019, Notre-Dame de Paris, një kryevepër e artit gotik, rihap dyert sot.

Një ngjarje e shumëpritur globale, pas më shumë se pesë viteve të një projekti kolosal restaurimi, i financuar nga një fluks i paprecedentë donacionesh.

Presidenti i sapo zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky apo princi William në emër të Mbretërisë së Bashkuar do të jenë në këto festime, ku priten rreth 40 krerë shtetesh dhe qeverish.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, në vështirësi pas mocionit të mosbesimit të qeverisë së tij, e ka marrë shumë seriozisht këtë ngjarje, e ngritur në gradën e krenarisë franceze, njësoj si Olimpiada e Parisit këtë verë.

Ceremonitë do të nisin në orën 19:00, me hapjen e dyerve të katedrales nga kryepeshkopi i Parisit, Laurent Ulrich.

Ato do të vazhdojnë në ambiente të mbyllura, dhe jo jashtë, siç ishte planifikuar fillimisht, për shkak të motit me erë.

Në veçanti, është planifikuar një fjalim i Macron, i cili kishte vendosur sfidën e çmendur të një restaurimi në pesë vjet pas zjarrit, një shërbim fetar në prani të 1 500 të ftuarve dhe leximin e një mesazhi nga papa Françesku.

Natën e 15 prillit 2019, pamjet e çatisë së Notre-Dame të përpirë nga flakët dhe shembja e majës së saj tronditën të gjithë botën.

E rindërtuar në mënyrë identike me atë të projektuar nga arkitekti i shekullit XIX, Eugène Viollet-Le-Duc, katedralja rrezaton nga brenda një shkëlqim të panjohur në kujtesën e gjallë.

E verdha e gurëve të saj të pastruar, ngjyrat verbuese të dritareve pjesërisht të restauruara dhe ato të dekorimeve të pikturuara të kapelave rriten nga një ndriçim i ri i përmbajtur dhe i rregullueshëm.

Piktura nga mjeshtra të shekullit XVII, skulptura mjeshtërore laike dhe objekte arti janë riinstaluar.

Aksi qendror i rafinuar, ku qëndrojnë mobilIet e reja liturgjike minimaliste në bronz, i japin masën e plotë ndërtesës, e ndërtuar në shekujt XII dhe XIII, me gjatësi gati 150 metra dhe gjerësi rreth 50 metra.

Një mijë e pesëqind karrige të reja lisi të lehta janë gjithashtu të destinuara për të akomoduar 14 deri në 15 milionë vizitorët që priten çdo vit.

Në programin e festimeve të rihapjes është përfshirë edhe transmetimi i një filmi që tregon rindërtimin e katedrales më shumë se 860-vjeçare dhe parakalimin e 160 zjarrfikësve dhe ndërtuesve zejtarë.

Vëllezërit Renaud dhe Gautier Capuçon, violinist dhe violonçelist, do të performojnë “La passacaille” nga Handel, të aranzhuar nga Johan Halvorsen.

Në përfundim të ceremonive republikane dhe liturgjike, rreth orës 20:40, do të ofrohet një darkë në Elysee nga Emmanuel dhe Brigitte Macron për krerët e shteteve, qeverive dhe organizatave ndërkombëtare.

Moti i paparashikueshëm ka ndërprerë edhe programin muzikor të mbrëmjes dhe koncerti i planifikuar më pas do të transmetohet me vonesë.

Ai do të nxjerrë në pah muzikën klasike me Maîtrise Notre-Dame de Paris dhe Orkestrën Filarmonike të radiostacionit publik francez Radio France, të drejtuar nga maestroja venezuelian Gustavo Dudamel.

Aty do të jenë edhe pianisti virtuoz kinez Lang Lang, sopranoja afrikano-jugore Pretty Yende dhe tenori franko-zviceran Benjamin Bernheim.

Krahas tyre, për një prekje me muzikë pop, do të jenë francezja Clara Luciani dhe Vianney, kanadezja Garou dhe franko-beninezja Angélique Kidjo.

Emrat e Paul McCartney dhe Pharrell Williams gjithashtu janë përmendur, por nuk janë konfirmuar.

Të dielën janë planifikuar dy mesha, në orën 10:30 dhe 18:30.

E para, në prani të Emmanuel Macron, krerëve të shteteve dhe qeverive, si dhe figurave fetare, do të shenjtërojë altarin.

E dyta është e hapur për publikun.

Një sistem i jashtëzakonshëm sigurie, i frymëzuar nga ai i Lojërave Olimpike, është planifikuar në një kontekst të “nivelit shumë të lartë të kërcënimit terrorist”, sipas selisë së policisë, me 6 000 policë dhe xhandarë të mobilizuar.

Projekti i rindërtimit dhe restaurimit mobilizoi 250 kompani si dhe 2 000 zejtarë.

Dhe kushtoi afro 700 milionë euro, financuar nga 846 milionë donacione nga e gjithë bota./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme