9 Janar, 2024 - 9:00 pm
“Galeria e Arteve Digjitale” në Korçë (GADK) sjell ekspozitën imersive të artit digjital, me vepra të Rilindjes italiane.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.
Filo, ndau në rrjete sociale posterin e këtij aktiviteti të veçantë, teksa shkroi se “”Rilindja Italiane” do të jetë ekspozita e ardhshme në GADK”.
Ekspozita në Galeria e Arteve Digjitale në Korçë, e vetmja e këtij lloji në vendin tonë, sjell një model unik të paraqitjes se artit. GADK është galeria ku ndërthuret kultura dhe teknologjia së bashku.
Ekspozimi në këtë model unik i disa prej veprave të “Rilindjes Italiane”, merr një vlerë të shtuar për artin dhe artistët.
Rilindja italiane filloi në Itali në fund të shekullit të katërmbëdhjetë dhe u bë një epokë e shumë arritjeve kulturore dhe arkitekturore në Evropë.
Kulmi i Rilindjes ndodhi në fund të shekullit të 15-të,ku elementët e Rilindjes Italiane u përhapën në vendet e tjera të Evropës, gjë që çoi në një rizbulim të artit dhe shkencës në mbarë Evropën që bart vlera të veçanta edhe sot në kohën moderne në mbarë botën. /ATSH /KultPlus.com